Pyetje të shpeshta për email-in
Konfigurimi i email-it në telefon dhe kompjuter, problemet e dërgimit dhe marrjes, spam-i dhe kapaciteti.
5 pyetje ·
Emailet nuk më vijnë ose nuk dërgohen. Çfarë duhet të kontrolloj?
Provoni fillimisht webmail-in (webmail.domainijuaj.al): nëse aty emaili punon, problemi është te pajisja ose aplikacioni i emailit. Nëse jo, shkaqet më të shpeshta janë:
- Kutia postare është plot.
- Shërbimi ka skaduar ose është pezulluar – nga fatura e papaguar ose nga tejkalimi i hapësirës së paketës. Kontrolloni shërbimet dhe faturat në my.host.al.
- Domaini nuk drejton te paketa e hostimit – pas ndryshimit të nameserverave emaili ndalon nëse rekordet MX nuk janë te hosti i ri.
- Rekorde MX në konflikt – p.sh. MX i Google dhe MX i hostimit njëkohësisht.
- Konfigurim i gabuar në telefon/Outlook – konfigurimi automatik ndonjëherë merr parametra të gabuar; kontrolloni manualisht IMAP/SMTP. Edhe memoria e plotë e telefonit pengon shkarkimin e emaileve.
Nëse nuk e gjeni shkakun, na hapni biletë me adresën e emailit dhe screenshot të gabimit ose mesazhin që ju kthehet.
Cilat janë të dhënat IMAP/POP3/SMTP për të konfiguruar emailin në Outlook, telefon ose Gmail?
Për emailet që hostohen në paketat e hostimit Host.al përdorni:
- Username: adresa e plotë e emailit (p.sh. info@domainijuaj.al) dhe fjalëkalimi i saj.
- Serveri hyrës dhe dalës: emri i domainit tuaj (p.sh. domainijuaj.al); autentikimi te serveri dalës duhet aktivizuar.
- IMAP me SSL/TLS: porta 993; POP3 me SSL/TLS: porta 995.
- SMTP me SSL/TLS: porta 465.
Në shumicën e rasteve Outlook i gjen vetë të dhënat pasi vendosni adresën dhe fjalëkalimin. Nga shfletuesi emaili hapet te https://webmail.domainijuaj.al. Të njëjtat të dhëna vlejnë edhe për dërgimin e emaileve nga faqja (p.sh. PHPMailer).
Nëse shfaqet gabimi 'Untrusted certificate' ose 'Invalid certificate', domaini ka nevojë për certifikatën falas Let's Encrypt; na shkruani dhe e instalojmë.
Pse emailet e mia shkojnë në spam ose kthehen mbrapsht nga Gmail/Hotmail?
Shkaqet kryesore:
- IP e përbashkët në listë të zezë: në hostimin e përbashkët (shared) të gjithë domainet në server dërgojnë nga e njëjta IP. Nëse një klient tjetër dërgon shumë emaile, IP mund të bllokohet përkohësisht. Ne kërkojmë heqjen nga lista (delist), që zakonisht zgjidhet brenda disa orësh.
- SPF, DKIM ose DMARC mungojnë ose janë të pasakta: na shkruani dhe i rikonfigurojmë.
- Llogari e komprometuar ose formë kontakti në faqe që dërgon spam.
Që ta shqyrtojmë, na dërgoni në biletë mesazhin që ju kthehet ose 'header'-in e plotë të një emaili që ra në spam (të kopjuar në një skedar .txt). Nëse emaili është kritik për biznesin tuaj, mund të merrni një IP të dedikuar ose një paketë Exchange, që nuk ndikohen nga klientët e tjerë.
Më erdhi njoftim se llogaria ime e emailit po dërgon spam ose u kufizua. Çfarë të bëj?
Zakonisht kjo do të thotë që fjalëkalimi i emailit është zbuluar ose që një skript në faqe po dërgon emaile. Për sigurinë e serverit, ne e kufizojmë ose e pezullojmë dërgimin nga ajo adresë.
- Ndryshoni menjëherë fjalëkalimin e emailit me një fjalëkalim të fortë.
- Vendosni fjalëkalimin e ri në të gjitha pajisjet dhe aplikacionet ku është konfiguruar emaili.
- Ndryshoni edhe fjalëkalimin e paketës së hostimit dhe aktivizoni autentikimin me shumë faktorë (MFA).
- Nëse keni WordPress, kërkojini webmasterit ta kontrollojë faqen për skripte të dëmshme.
- Na shkruani pasi të keni mbaruar, që ta riaktivizojmë dërgimin.
Shënim: paketat e hostimit kanë kufi dërgimi (50 emaile në orë për adresë dhe 100 në orë për domain). Dërgesat e mëdha shpërndajini në intervale të ndryshme kohore.
Kutia ime e emailit është plot. Si mund ta rris hapësirën?
Kur kutia mbushet, emailet e reja kthehen mbrapsht me gabim të tipit 'mailbox full'. Hapësira e kutisë varet nga paketa juaj e hostimit, deri në maksimumi 2 GB për kuti. Mundësitë:
- Fshini emailet e vjetra ose me bashkëngjitje të mëdha (edhe te Sent dhe Trash) nga webmail-i, ose arkivojini lokalisht në kompjuter.
- Nëse kutia nuk e ka arritur ende kufirin e paketës, na hapni një tiketë dhe e rrisim kuotën.
- Nëse ju duhet më shumë hapësirë, ju rekomandojmë kalimin në Microsoft Exchange, me hapësirë shumë më të madhe për kuti dhe Outlook të integruar: my.host.al/index.php?rp=/store/email-hosting
Mbani parasysh që emailet zënë edhe hapësirën totale të paketës së hostimit; nëse ajo tejkalohet, paketa mund të pezullohet.
Nuk e gjetët përgjigjen?
Hapni një tiketë nga zona e klientit ose na shkruani në email. Me tiketë ne shohim menjëherë shërbimet tuaja dhe kërkesa mbetet e dokumentuar.
- E hënë – e premte, 08:00–20:00: përgjigje brenda 20 minutash
- Jashtë këtij orari dhe në fundjavë: përgjigje brenda 4 orësh