Pyetje të shpeshta për llogarinë dhe sigurinë
Hyrja në zonën e klientit, 2FA, fjalëkalimi, përdoruesit e llogarisë dhe njoftimet e sigurisë.
8 pyetje ·
Kam harruar fjalëkalimin e llogarisë në my.host.al. Si ta rikuperoj?
Host.al nuk i ruan fjalëkalimet e klientëve dhe nuk mund t'jua dërgojë ato me email apo biletë. Fjalëkalimin e rivendosni vetë, në pak hapa:
- Hapni my.host.al/index.php?rp=/password/reset (ose klikoni "Forgot Password" te faqja e hyrjes).
- Shkruani adresën email me të cilën keni hapur llogarinë.
- Hapni linkun që ju vjen me email dhe vendosni një fjalëkalim të ri.
Nëse emaili nuk ju vjen brenda pak minutash, kontrolloni dosjen Spam/Junk. Nëse nuk e mbani mend me cilën adresë email është hapur llogaria, ose nuk keni më akses në atë adresë, na shkruani një biletë dhe tregoni një domain apo shërbim që keni te ne, që ta verifikojmë. Pas hyrjes, ju rekomandojmë të aktivizoni verifikimin me dy faktorë (2FA).
Si ta ndryshoj emailin e llogarisë, ose t'i bashkoj dy llogari që kam te Host.al?
Ndryshimi i emailit: hyni në my.host.al dhe ndryshojeni te profili i përdoruesit (my.host.al/index.php?rp=/user/profile). Mund të vendosni vetëm një adresë email për hyrje. Pas ndryshimit, sistemi ju dërgon një email njoftimi sigurie.
Bashkimi i llogarive: nëse domainet dhe shërbimet tuaja janë shpërndarë në dy llogari, ne mund t'i bashkojmë në një.
- Hapni një biletë nga llogaria që doni të mbetet aktive.
- Tregoni adresën email të llogarisë tjetër.
- Për siguri, mund t'ju kërkojmë të konfirmoni kërkesën edhe nga llogaria tjetër.
- Ju njoftojmë kur bashkimi të jetë kryer.
Nëse nuk keni më akses te emaili i vjetër (p.sh. punonjës që është larguar), na shkruani – për organizatat mund t'ju kërkojmë një shkresë zyrtare nga titullari dhe ekstraktin me NIPT.
Si t'i jap akses një personi tjetër (p.sh. zhvilluesit) në llogarinë time, ose si ta heq?
Nuk keni nevojë të ndani fjalëkalimin tuaj. Llogaria në my.host.al lejon shtimin e përdoruesve të tjerë me email-in e tyre.
- Hyni në my.host.al dhe hapni menunë e menaxhimit të përdoruesve.
- Ftoni personin me adresën e tij email.
- Ai/ajo pranon ftesën nga emaili dhe hyn me kredencialet e veta.
Kur shtohet një përdorues i ri, pronari i llogarisë merr një email sigurie. Nëse nuk e keni shtuar ju, na kontaktoni menjëherë.
Nëse dikush ju ka shtuar në llogarinë e tij dhe në hyrje ju del "Select profile", mund ta largoni lidhjen ose të na shkruani dhe ne e heqim. Nëse do që personi të ketë akses vetëm te paneli Plesk i një hostimi, mund t'i krijoni një përdorues në Plesk, ose ta kaloni shërbimin në llogarinë e tij.
Si ta mbyll ose ta fshij llogarinë time në Host.al?
Llogarinë mund ta mbyllim me kërkesën tuaj, me një kusht: në të nuk duhet të ketë shërbime aktive (domaine, hostim etj.).
- Hapni një biletë nga llogaria që doni të mbyllni dhe shkruani që kërkoni mbylljen e saj.
- Nëse keni ende shërbime aktive, vendosni çfarë të bëhet me to: t'i anuloni, t'i lini të skadojnë ose t'i kaloni në një llogari tjetër (p.sh. domainin te pronari i ri).
- Ne ju konfirmojmë me biletë kur llogaria të jetë mbyllur.
Kini parasysh që një domain i lënë pa rinovim mund të humbasë. Nëse keni kredit në llogari, na tregoni para mbylljes nëse e doni si rimbursim. Nëse merrni njoftim për mbyllje llogarie që nuk e keni kërkuar, na kontaktoni menjëherë.
Mora një email sigurie nga Host.al (përdorues i ri, ndryshim fjalëkalimi, hyrje nga një shtet i ri, ndryshim nameserverash). Çfarë duhet të bëj?
Host.al ju dërgon njoftime sigurie kur: shtohet një përdorues i ri në llogari; ndryshon adresa email ose fjalëkalimi; ndryshon kyçja (registrar lock) ose nameserverat e një domaini; dhe kur dikush hyn nga një shtet ku nuk keni hyrë më parë.
Nëse veprimin e keni bërë ju (ose dikush që e keni autorizuar), nuk duhet bërë asgjë.
Nëse NUK e njihni veprimin:
- Ndryshoni menjëherë fjalëkalimin te my.host.al (ose përdorni "Forgot Password").
- Aktivizoni 2FA.
- Kontrolloni përdoruesit e llogarisë dhe hiqni ata që nuk i njihni.
- Kontrolloni nameserverat e domaineve tuaja.
- Na shkruani një biletë – ne kontrollojmë regjistrat e hyrjeve dhe ju ndihmojmë të riktheni rekordet e mëparshme.
Si ta aktivizoj verifikimin me dy faktorë (2FA) në llogarinë time?
Verifikimi me dy faktorë është i disponueshëm te cilësimet e sigurisë së llogarisë në my.host.al dhe funksionon me një aplikacion autentifikimi (p.sh. Google Authenticator, Microsoft Authenticator, Authy).
- Hyni në my.host.al.
- Hapni cilësimet e sigurisë së llogarisë.
- Zgjidhni aktivizimin e 2FA dhe skanoni kodin QR me aplikacionin në telefon.
- Shkruani kodin 6-shifror që shfaq aplikacioni për të konfirmuar.
- Ruani në vend të sigurt kodin rezervë (backup code), nëse ju jepet.
Pas kësaj, në çdo hyrje do t'ju kërkohet edhe kodi nga aplikacioni. Ju rekomandojmë fort 2FA, sidomos nëse menaxhoni domaine biznesi. Paneli Plesk i hostimit ka gjithashtu opsionin e vet për Google Authenticator.
Kam humbur telefonin/aplikacionin e 2FA dhe nuk mund të hyj në llogari. Çfarë të bëj?
Nëse keni humbur telefonin ose aplikacionin e autentifikimit, provoni fillimisht:
- Nëse keni ruajtur një kod rezervë, përdoreni në ekranin e hyrjes.
- Kontrolloni nëse aplikacioni i autentifikimit është ende në një pajisje të vjetër – shpesh kodi gjendet aty.
Nëse nuk keni qasje, na hapni një tiketë ose na shkruani te support@host.al. Për sigurinë e llogarisë suaj, 2FA çaktivizohet vetëm pasi të verifikojmë identitetin tuaj: me një telefonatë dhe verifikim të drejtpërdrejtë të mbajtësit të llogarisë dhe të dokumentit të identitetit.
Në disa raste mund t'ju kërkohet një proces i plotë KYC (njohja e klientit) me video të drejtpërdrejtë.
Pas verifikimit e çaktivizojmë 2FA dhe ju njoftojmë. Hyni me fjalëkalimin tuaj dhe aktivizoni menjëherë 2FA në pajisjen e re.
Kur hyj në llogari më del "Captcha verification failed. Contact support". Si ta zgjidh?
Hyrja në my.host.al mbrohet me CAPTCHA (Google) për të ndaluar sulmet automatike. Ky gabim ndodh zakonisht kur skripti i Google nuk ngarkohet plotësisht në shfletues.
- Prisni që faqja të ngarkohet plotësisht para se të shtypni "Login".
- Rifreskoni faqen ose provoni në një dritare Incognito/Private.
- Çaktivizoni përkohësisht bllokuesit e reklamave ose shtesat e privatësisë për my.host.al.
- Provoni një shfletues tjetër ose një rrjet tjetër (p.sh. internet nga telefoni).
CAPTCHA nuk mund të çaktivizohet për një klient të vetëm. Nëse problemi vazhdon, na shkruani një biletë me një foto të ekranit; ndërkohë stafi mund ta kryejë për ju porosinë ose ndryshimin që ju nevojitet.
Nuk e gjetët përgjigjen?
Hapni një tiketë nga zona e klientit ose na shkruani në email. Me tiketë ne shohim menjëherë shërbimet tuaja dhe kërkesa mbetet e dokumentuar.
- E hënë – e premte, 08:00–20:00: përgjigje brenda 20 minutash
- Jashtë këtij orari dhe në fundjavë: përgjigje brenda 4 orësh