---
title: "Pagesat dhe faturat: Pago, PayPal, fiskale - Host.al"
url: https://host.al/pyetje-te-shpeshta/fatura-pagesa/
description: "Mënyrat e pagesës, pagesat që nuk duken, fatura fiskale, monedha, rinovimi automatik, anulimi i shërbimeve dhe rimbursimet."
language: sq
source: https://host.al/pyetje-te-shpeshta/fatura-pagesa/ (Markdown copy for AI agents; prices in EUR, see https://host.al/llms.txt)
---

[Suporti](https://host.al/suporti/)›Faturat dhe pagesat

# Pyetje të shpeshta për faturat dhe pagesat

Pagesat me Pago dhe PayPal, faturat dhe fatura fiskale, rinovimet, anulimi dhe rimbursimet.

15 pyetje ·

**Hapi të gjitha**

## Kam paguar, por fatura del ende 'Unpaid'. Çfarë duhet të bëj?

Pagesat me Pago (kartë ose aplikacion) dhe PayPal regjistrohen automatikisht – fatura kalon 'Paid' dhe shërbimi aktivizohet brenda pak minutash.

Nëse fatura nuk është përditësuar:

1.  Rifreskoni faqen e faturës në my.host.al dhe kontrolloni që pagesa të jetë kryer me sukses (keni marrë konfirmimin nga Pago ose PayPal).
2.  Nëse po, hapni një tiketë te Billing (ose përgjigjuni emailit të faturës) me numrin e faturës dhe ID-në e transaksionit ose një screenshot të konfirmimit.
3.  Financa e aplikon pagesën te fatura përkatëse dhe ju njofton.

Kujdes: nëse porosia është bërë dy herë, pagesa mund të jetë aplikuar te fatura tjetër.

## PayPal më tërhoqi automatikisht një pagesë për Host.al që nuk e kërkova. Pse?

Host.al nuk tërheq para vetë nga llogaria juaj PayPal. Këto pagesa vijnë nga një abonim (Subscription / 'Recurrent Payment') që aktivizohet në PayPal kur, gjatë një pagese të mëparshme, zgjidhet pagesa e përsëritur. PayPal e dërgon shumën automatikisht çdo vit.

Çfarë ndodh me paratë:

-   Nëse ka faturë të hapur, pagesa aplikohet aty; përndryshe kalon si kredit (Credit Balance) në llogarinë tuaj në my.host.al dhe përdoret për rinovime ose porosi të ardhshme.
-   Nëse nuk e doni kreditin, na shkruani me tiketë dhe e rimbursojmë te PayPal.

Si ta ndaloni:

1.  Hyni në llogarinë tuaj PayPal.
2.  Hapni seksionin e pagesave automatike / Subscriptions.
3.  Anuloni të gjitha abonimet me Host.al.

## Si mund të marr faturë fiskale (tatimore) me NIPT?

Fatura fiskale (tatimore, me TVSH) lëshohet automatikisht pas pagesës, me të dhënat e profilit tuaj në my.host.al. Për bizneset, fatura shfaqet edhe në e-Fatura (SelfCare).

Që fatura të dalë e saktë:

1.  Hyni në my.host.al dhe hapni profilin (Account Details).
2.  Kontrolloni që emri i subjektit dhe NIPT-i të jenë të sakta para se të paguani.
3.  Ruani ndryshimet – faturat e ardhshme lëshohen me këto të dhëna.

Nëse NIPT-i mungon ose është gabim, mund t'ju kërkojmë ta korrigjoni në profil. Nëse fatura fiskale është lëshuar tashmë me të dhëna të gabuara, na hapni një tiketë te Billing me numrin e faturës dhe të dhënat e sakta.

## Pagesa me kartë nuk kalon ose më del gabim. Çfarë të bëj?

Host.al nuk i ruan të dhënat e kartës suaj; pagesa kryhet te procesori i pagesave, ndaj gabimet zakonisht zgjidhen nga ana e shfletuesit ose e bankës. Provoni këto hapa:

1.  Hapni faturën në my.host.al dhe sigurohuni që mënyra e pagesës të jetë Pago (kartë debiti/krediti). Klikoni butonin e gjelbër poshtë logos së Pago dhe plotësoni të dhënat e kartës.
2.  Nëse del gabim ose faqe e bardhë, provoni me një shfletues tjetër, në dritare incognito ose nga një pajisje tjetër.
3.  Kontrolloni me bankën që karta të jetë e aktivizuar për pagesa online dhe që t'ju vijë kodi OTP.
4.  Nëse përsëri nuk funksionon, paguani me PayPal.

Nëse në faturë nuk ju shfaqet opsioni i kartës, hapni një tiketë dhe stafi e ndryshon mënyrën e pagesës.

## Me çfarë mënyrash mund të paguaj faturat në Host.al?

Faturat i paguani online në my.host.al:

1.  Pago (rekomandohet) – me kartë debiti/krediti (Visa, Mastercard) ose me aplikacionin Pago. Pagesa regjistrohet menjëherë dhe shërbimi aktivizohet automatikisht.
2.  PayPal – me llogarinë tuaj PayPal.

Mënyrën e pagesës e zgjidhni kur hapni faturën në my.host.al. Ju rekomandojmë Pago, sepse mbulon edhe pagesat me kartë dhe është mënyra më e shpejtë. Nuk pranojmë pagesa me kriptomonedha.

## Pse u rinovua automatikisht domaini im dhe si ta çaktivizoj rinovimin automatik?

Kur për një domain është aktiv Auto Renew, sistemi gjeneron faturën dhe tenton pagesën rreth 1 muaj para skadencës. Kjo bëhet që, nëse pagesa automatike dështon, të keni kohë të paguani me një mënyrë tjetër pa e humbur domainin.

Për ta çaktivizuar:

1.  Hyni në my.host.al.
2.  Shkoni te Domains dhe klikoni mbi domainin.
3.  Në menunë majtas zgjidhni Auto Renew Status dhe klikoni Disable.

E rëndësishme: rinovimi i domainit kryhet menjëherë në regjistër (p.sh. AKEP për .al) dhe, pasi është kryer, nuk mund të rimbursohet. Nëse nuk doni ta vazhdoni shërbimin, çaktivizoni Auto Renew ose na njoftoni para datës së rinovimit. Kontrolloni gjithashtu që të mos keni abonim aktiv në PayPal.

## Fatura është në euro. A mund të paguaj në lekë?

Çmimet dhe faturat tona janë në euro. Kur paguani online me Pago (kartë) ose PayPal, shuma në euro konvertohet automatikisht nga banka ose PayPal nëse karta/llogaria juaj është në lekë – nuk duhet të bëni asgjë tjetër.

Këshilla:

1.  Kontrolloni që të paguani shumën e plotë në euro të faturës; ka pasur raste kur u pagua shuma si lekë (p.sh. 12.99 lekë në vend të 12.99 €) dhe fatura mbeti pjesërisht e papaguar.
2.  Diferenca të vogla mes faturës dhe deklaratës së kartës vijnë nga kursi i këmbimit i bankës suaj.

Nëse jeni biznes dhe ju duhet fatura fiskale në lekë, na shkruani te Billing.

## Kam fatura të dyfishta, ose dua të bashkoj/ndaj faturat. A mundet?

Po. Fatura e dyfishtë zakonisht krijohet kur porosia bëhet dy herë për të njëjtin shërbim. Fatura e papaguar e tepërt anulohet nga sistemi ose nga stafi – mjafton të mos e paguani dhe të na njoftoni.

Me kërkesë mund të:

1.  Bashkojmë disa fatura të papaguara në një faturë të vetme (p.sh. për disa serverë ose domaine).
2.  Ndajmë një faturë, p.sh. vetëm për domainin, kur hostimin nuk e doni më.
3.  Rregullojmë datat që shërbimet të kenë të njëjtin cikël faturimi.

Hapni një tiketë te Billing me numrat e faturave. Nëse keni paguar dy herë, shuma e tepërt kalon si kredit në llogarinë tuaj në my.host.al ose, me kërkesën tuaj, rimbursohet.

## Si ta ndryshoj mënyrën e pagesës në faturë ose ciklin e faturimit (mujor/vjetor)?

Mënyra e pagesës: kur hapni faturën në my.host.al, mund të zgjidhni mënyrën e pagesës (Pago – e rekomanduar, edhe për kartë – ose PayPal). Nëse fatura ka një mënyrë pagese që nuk mund ta përdorni dhe nuk ju shfaqet opsioni Pago, hapni tiketë me numrin e faturës – stafi e ndryshon mënyrën e pagesës dhe ju e paguani menjëherë nga i njëjti link.

Cikli i faturimit: për të kaluar një shërbim (p.sh. hostim ose VPS) nga pagesë mujore në vjetore, na shkruani me tiketë. Stafi e ndryshon ciklin dhe gjeneron faturën e re; faturat e mëvonshme krijohen automatikisht para datës së rinovimit.

Shënim: nëse kaloni nga PayPal në një mënyrë tjetër pagese, anuloni abonimin në PayPal që të mos keni pagesa të dyfishta.

## Fatura fiskale doli me emër, NIPT ose monedhë të gabuar. Si korrigjohet?

1.  Përditësoni të dhënat e faturimit në profilin tuaj në my.host.al (emri i kompanisë, adresa, NIPT), që faturat e ardhshme të dalin saktë.
2.  Hapni një tiketë te Billing me numrin e faturës dhe të dhënat e sakta (subjekti, NIPT, adresa) ose monedhën që ju duhet (lekë/euro).
3.  Financa anulon faturën fiskale të mëparshme dhe ju dërgon faturën e korrigjuar.

Pyetje e shpeshtë: në SelfCare, faturat e paguara me kartë online mund të shfaqen si 'cash'. Kjo është normale: programi i fiskalizimit i regjistron pagesat online me kartë si 'cash'. Nëse ju duket se një faturë fiskale është lëshuar dy herë, na shkruani dhe e verifikojmë.

## Pse më erdhi faturë para se të skadojë shërbimi, ose njoftim për faturë që e kam paguar?

Faturat e rinovimit gjenerohen automatikisht rreth 30 ditë para skadencës, që të keni kohë t'i paguani. Nuk është e nevojshme të paguani menjëherë – mjafton ta paguani deri në datën e afatit (Due Date) të shënuar në faturë.

Nëse fatura mbetet e papaguar, sistemi dërgon automatikisht kujtesë dhe njoftime të njëpasnjëshme (i pari, i dyti, i treti).

Nëse ju erdhi njoftim për një faturë që e keni paguar:

1.  Kontrolloni në my.host.al nëse keni dy fatura ose porosi për të njëjtin shërbim.
2.  Përgjigjuni emailit ose hapni tiketë me ID-në e transaksionit nga Pago/PayPal.

Nëse nuk e doni më shërbimin, na njoftoni: fatura anulohet dhe nuk do të merrni më njoftime.

## Pse u pezullua (suspended) paketa ime e hostimit dhe si riaktivizohet?

Dy arsyet më të shpeshta janë:

1.  Faturë e papaguar. Paguani faturën në my.host.al. Kur paguani me Pago ose PayPal shërbimi riaktivizohet automatikisht. Nëse pas pagesës paketa mbetet e pezulluar, hapni tiketë dhe stafi e heq pezullimin. Paketat që mbeten gjatë të papaguara fshihen përfundimisht nga serveri, ndaj mos e shtyni pagesën.
2.  Tejkalim i hapësirës (disk) ose i trafikut (bandwidth). Kontrolli bëhet automatikisht çdo natë. Stafi mund ta heqë pezullimin përkohësisht që të fshini skedarë të panevojshëm (backup-e, log-e, email-e të vjetra), por nëse limiti mbetet i tejkaluar, paketa pezullohet sërish brenda 24 orëve. Zgjidhja afatgjatë është upgrade në një paketë më të madhe nga my.host.al – paguani vetëm diferencën për periudhën e mbetur.

## Ku i shoh çmimet dhe si mund të marr një ofertë?

Çmimet e domaineve dhe të paketave të hostimit janë publike në host.al (p.sh. host.al/hosting/web-hosting/ për hostimin). Çmimet janë në euro dhe fatura fiskale përfshin TVSH-në.

Për ofertë:

1.  Na shkruani me tiketë domainin ose shërbimin që ju intereson dhe për sa vite e doni.
2.  Për domaine premium, VPS, serverë të dedikuar ose colocation, ju dërgojmë ofertë të personalizuar.

Gjëra të dobishme:

-   Regjistrimi për shumë vite njëherësh mund të ketë zbritje, të cilën sistemi e llogarit vetë.
-   Klientët me shumë domaine .al (p.sh. agjenci) mund të kalojnë në nivele çmimi më të ulëta – na kontaktoni.
-   Kur bëni upgrade të paketës, paguani vetëm diferencën për periudhën e mbetur.
-   Çmimi i rinovimit për disa prapashtesa ndërkombëtare përcaktohet nga regjistri dhe mund të ndryshojë.

## A mund të rimbursohem nëse nuk e dua më shërbimin?

Varet nga shërbimi:

-   Domainet: pasi domaini regjistrohet ose rinovohet në regjistër (p.sh. AKEP për .al), pagesa i kalon regjistrit dhe nuk mund të rimbursohet.
-   Domain i refuzuar ose porosi që nuk realizohet (p.sh. transferim që nuk u krye): shuma rimbursohet ose kalon si kredit në llogari.
-   Hostimi: rimbursim mund të ofrohet për paketat e hostimit, sidomos kur kërkohet menjëherë pas blerjes.
-   Pagesa të dyfishta ose nga abonimi PayPal: kalojnë si kredit dhe mund të rimbursohen.

Si ta kërkoni:

1.  Hapni tiketë te Billing nga my.host.al.
2.  Tregoni shërbimin dhe faturën.
3.  Zgjidhni nëse shuma të mbetet kredit në Host.al apo të kthehet në llogarinë/kartën nga u pagua.

Koha kur paratë shfaqen në llogari varet nga banka ose PayPal.

## Si ta anuloj një domain ose paketë hostimi që nuk e dua më?

1.  Nëse keni faturë rinovimi të papaguar, na njoftoni me tiketë nga my.host.al ose duke iu përgjigjur emailit të faturës. Fatura anulohet dhe nuk do të merrni më njoftime – mjafton të mos e paguani.
2.  Për domainet, çaktivizoni Auto Renew që të mos gjenerohen fatura të reja. Domaini skadon në datën e tij dhe, pas periudhës së pritjes, fshihet.
3.  Për hostimin, na konfirmoni me shkrim nëse doni pezullimin ose fshirjen (terminimin) e paketës. Bëni backup të faqes dhe të email-eve para fshirjes.
4.  Nëse paguani me PayPal, anuloni edhe abonimin në PayPal.

Nëse doni të mbani domainin por jo hostimin, mund t'ju gjenerojmë faturë vetëm për domainin. Kërkesën dërgojeni nga llogaria juaj e klientit, që ta verifikojmë.

Faqe të lidhura

-   [Çmimet e domaineve](https://host.al/domain-prices/)
-   [Marrëveshja e shërbimit](https://host.al/service-agreement/)

Tema të tjera

-   [Domainet](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/domaine/)
-   [DNS dhe nameserverat](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/dns-nameservera/)
-   [Hostingu dhe faqet](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/hosting/)
-   [Email-i](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/email/)
-   [SSL](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/ssl/)
-   [VPS](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/vps/)
-   [Serverat e dedikuar](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/servera-te-dedikuar/)
-   [Colocation](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/colocation/)
-   [Llogaria dhe siguria](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/llogaria-siguria/)
-   [Të përgjithshme](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/te-pergjithshme/)

Nuk e gjetët përgjigjen?

Hapni një tiketë nga zona e klientit ose na shkruani në email. Me tiketë ne shohim menjëherë shërbimet tuaja dhe kërkesa mbetet e dokumentuar.

-   **E hënë – e premte, 08:00–20:00:** përgjigje brenda 20 minutash
-   **Jashtë këtij orari dhe në fundjavë:** përgjigje brenda 4 orësh

[Hapni një tiketë](https://my.host.al/submitticket.php) [support@host.al](mailto:support@host.al) [Baza e njohurive](https://my.host.al/index.php?rp=/knowledgebase&language=albanian)
