---
title: "DNS dhe nameserverat: ndryshimi dhe rekordet - Host.al"
url: https://host.al/pyetje-te-shpeshta/dns-nameservera/
description: "Si ndryshoni nameserverat e një domaini .al, sa shpejt shfaqet ndryshimi, ku shtohen rekordet DNS dhe si lidhni Google Workspace ose Microsoft 365."
language: sq
source: https://host.al/pyetje-te-shpeshta/dns-nameservera/ (Markdown copy for AI agents; prices in EUR, see https://host.al/llms.txt)
---

[Suporti](https://host.al/suporti/)›DNS dhe nameserverat

# Pyetje të shpeshta për DNS dhe nameserverat

Ndryshimi i nameserverave, përhapja e ndryshimeve, rekordet DNS dhe lidhja me shërbime të tjera.

5 pyetje ·

**Hapi të gjitha**

## Si t'i ndryshoj nameserverat e domainit dhe sa kohë duhet që ndryshimi të duket?

Nameserverat mund t'i ndryshoni vetë nga zona e klientit:

1.  Hyni në [my.host.al](https://my.host.al).
2.  Shkoni te Domains, zgjidhni domainin dhe hapni Nameservers.
3.  Zgjidhni 'Use custom nameservers', vendosni nameserverat e rinj dhe ruani.

Për domainet .al regjistri e rifreskon zonën çdo orë, ndaj ndryshimi i nameserverave pasqyrohet në zonën .al brenda 1 ore. Nëse pas kësaj ju shfaqen ende nameserverat ose faqja e vjetër, kjo vjen nga memoria (cache) e serverave DNS të ofruesit tuaj të internetit, të kompjuterit ose të shfletuesit, që i ruajnë të dhënat e vjetra derisa t'u skadojë koha (TTL) – zakonisht disa orë, rrallë deri në 24 orë. Kjo vonesë nuk varet nga Host.al.

Si ta kontrolloni: përdorni një mjet si dnschecker.org (tregon çfarë shohin servera DNS në vende të ndryshme), provoni nga një rrjet tjetër (p.sh. 4G) ose pastroni cache-in DNS të kompjuterit. Nëse paneli ju shfaq gabim ose nameserverat nuk ruhen, na hapni një tiketë me nameserverat e rinj dhe i ndryshojmë ne.

## Pse më del gabimi 'An issue was encountered while updating the domain nameservers', ose pse domaini im i ri .al nuk funksionon ende?

Ky gabim shfaqet pothuajse gjithmonë kur domaini .al është ende në statusin 'Pending Approval'. Domainet .al regjistrohen manualisht nga AKEP (institucioni shtetëror për regjistrimin e domaineve .al), vetëm gjatë orarit zyrtar, zakonisht brenda 1–3 ditëve pune nga pagesa.

Deri në aprovim:

-   domaini nuk ka ende DNS (kontrollet tregojnë NXDOMAIN);
-   nameserverat nuk mund të ndryshohen nga paneli.

Pasi AKEP ta aprovojë, do të merrni një email konfirmimi. Domaini aktivizohet në zonë brenda rreth 1 ore dhe drejtohet te nameserverat që keni vendosur në porosi; pas kësaj mund t'i ndryshoni lirisht.

Gjatë festave zyrtare në Shqipëri procesimi shtyhet në ditën e parë të punës. Nëse regjistri e refuzon domainin (p.sh. për të dhëna të paplota), do t'ju njoftojmë me email për të dhënat që duhen.

## Ku t'i shtoj rekordet DNS (A, CNAME, TXT, MX) për domainin tim?

Rekordet duhen shtuar aty ku drejtojnë nameserverat e domainit; përndryshe nuk kanë asnjë efekt:

1.  Nameserverat ns1.host.al / ns2.host.al: hyni në my.host.al > Domains > Manage DNS. Nëse domaini nuk shfaqet në listë, shtojeni me 'Add zone'.
2.  Nameserverat e paketës së hostimit në Host.al (p.sh. ns11/ns21.host.al ose ns61/ns62.host.al): rekordet menaxhohen nga paneli Plesk > Hosting & DNS > DNS, jo nga zona e klientit.
3.  Nameservera të një ofruesi tjetër (Cloudflare, Bluehost, Namecheap etj.): rekordet shtohen në panelin e atij ofruesi.

Nameserverat aktualë i shihni te faqja e domainit në my.host.al. Pas ndryshimit, rekordet zakonisht duken brenda pak minutash deri në 1–2 orë. Nëse nuk jeni të sigurt, na dërgoni rekordet me tekst në biletë dhe i shtojmë ne.

## Si ta lidh domainin me Google Workspace ose Microsoft 365 për email?

1.  Në panelin e Google ose Microsoft kopjoni rekordet që ju jepen: TXT për verifikim, MX, SPF (TXT) dhe, nëse kërkohen, DKIM, DMARC ose CNAME.
2.  Shtojini aty ku menaxhohet DNS i domainit: në my.host.al > Domains > Manage DNS (nameserverat ns1/ns2.host.al) ose në Plesk > Hosting & DNS > DNS nëse domaini drejton te paketa juaj e hostimit.
3.  Hiqni rekordet MX të vjetra të hostimit. Dy grupe MX njëkohësisht (p.sh. Google dhe hostimi) shkaktojnë konflikt në marrjen dhe dërgimin e emaileve.
4.  Mos harroni SPF, DKIM dhe DMARC, që emailet të mos bien në spam.

Përhapja zakonisht zgjat 10–30 minuta, ndonjëherë deri në 1–2 orë, derisa Google/Microsoft ta verifikojnë domainin. Nëse paneli nuk ju lejon të shtoni disa MX ose verifikimi nuk kalon, na dërgoni të gjitha rekordet me tekst në biletë dhe i shtojmë ne.

## Si ta ridrejtoj (forward) domainin tim te një faqe ose domain tjetër?

Domainet .al nuk mund të ridrejtohen direkt nga zona e domainit; ridrejtimi bëhet përmes një pakete hostimi:

1.  Nëse domaini nuk ka hostim, porosisni paketën falas të hostimit nga my.host.al (ose një paketë tjetër).
2.  Sigurohuni që domaini të drejtojë te kjo paketë (nameserverat e Host.al).
3.  Ridrejtimi i përhershëm (301) vendoset nga Plesk. Nëse dëshironi, na shkruani adresën e destinacionit dhe e vendosim ne.

Nëse domaini drejton te një host tjetër, ridrejtimi duhet bërë në panelin e atij hosti; në rastin e dy domaineve, të dy duhet të drejtojnë te i njëjti host, ku njëri ridrejtohet te tjetri.

Faqe të lidhura

-   [DNS falas](https://host.al/free-dns/)
-   [Domaine .al](https://host.al/al-domains/)

Tema të tjera

-   [Domainet](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/domaine/)
-   [Hostingu dhe faqet](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/hosting/)
-   [Email-i](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/email/)
-   [SSL](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/ssl/)
-   [VPS](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/vps/)
-   [Serverat e dedikuar](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/servera-te-dedikuar/)
-   [Colocation](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/colocation/)
-   [Faturat dhe pagesat](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/fatura-pagesa/)
-   [Llogaria dhe siguria](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/llogaria-siguria/)
-   [Të përgjithshme](https://host.al/pyetje-te-shpeshta/te-pergjithshme/)

Nuk e gjetët përgjigjen?

Hapni një tiketë nga zona e klientit ose na shkruani në email. Me tiketë ne shohim menjëherë shërbimet tuaja dhe kërkesa mbetet e dokumentuar.

-   **E hënë – e premte, 08:00–20:00:** përgjigje brenda 20 minutash
-   **Jashtë këtij orari dhe në fundjavë:** përgjigje brenda 4 orësh

[Hapni një tiketë](https://my.host.al/submitticket.php) [support@host.al](mailto:support@host.al) [Baza e njohurive](https://my.host.al/index.php?rp=/knowledgebase&language=albanian)
